Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me kancelarin gjerman Olaf Scholz të cilit i ka thënë se shpreson që Gjermania do ta mbështesë kandidaturën e shtetit të tij në Këshillin e Evropës.
Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e mbështetën më 16 prill raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.
Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.
Çështja tani është në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.
Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.
Në bisedën telefonike me Scholzin, kryeministri i Kosovës tha se i ka shprehur atij mirënjohje për mbështetjen “e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën”.
“Nënvizova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në KiE në përputhje me rekomandimet e Amsamblesë Parlamentare. Po ashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti në X.
In a call w/ @Bundeskanzler Scholz I expressed gratitude for ????????’s steadfast support for ???????? and underscored the hope that ???????? will support our @coe bid in alignment with PACE recommendations. I also reaffirmed our commitment for full implementation of the Basic Agreement.
— Albin Kurti (@albinkurti) April 29, 2024
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës, themeluar më 1949.
Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
Një prej përfitimeve direkte të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të jetë qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Serbia, shtet i cili e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, kishte propozuar disa amandamente në tekstin për rekomandimin që Kosova të pranohet në këtë organizatë.
Përmes tyre, kërkohej që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Evropës derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos vendosë për statusin e Kosovës.
Serbia po ashtu kërkoi që në vazhdim të procesit, Kosovës t’i vihet si kusht themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Këto amandamente nuk kaluan./REL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al