Përgjatë këtij viti kanë qenë dy raste ku policia jonë ka mundur të pikasë transportues armësh nga Kosova në drejtim të Tiranës.
Në të dy operacionet u tha se çanta me armët brenda vinte me linjën e autobusëve Prishtinë-Tiranë, ndërsa personat si transportues, ashtu edhe pritës, refuzonin të ishin në dijeni se çfarë kishte çanta brenda. Në njërin nga operacionet që u realizua në afërsi të “Asllan Rusit” në Tiranë u bllokua një çantë brenda së cilës u gjenden 10 pistoleta. U tha se në atë operacion u përdor edhe një i infiltruar, gjë që ka mundësuar nxjerrjen e të dhënave të mekanizmit se si funksionin grupet kriminale të trafikut të armëve, por në kthim edhe të drogës. Kryesisht kokainë. Madje, njëri prej të shënjetsruarve u arrestua dy ditë më parë për shpërndarje kokaine në Tiranë, e konkretisht u kap te Kthesa e Kamzës, në afërsi të terminalit të autobusëve.
DETAJE NGA HETIMI
Sipas të dhënave hetimore është mësuar se armët vinin nga Turqia, si armë sportive dhe më pas në Ferizaj modifikoheshin dhe bëheshin armë zjarri. Trafikantët përdornin ditën e shtunë dhe të diel për kalimin në kufi, pasi sipas një marrëveshjeje, makinat nuk kontrolloheshin dhe kjo ishte në favor të trafikantëve.
Shpeshherë armët e zjarrit në Kosovë shkëmbeheshin jo vetëm me para, por edhe me kokainë. Këtu futet roli i Euxhenio Manushit, i arrestuar në një operacion antidrogë. Sipas policisë, ky i fundit interesohej për armë dhe në shkëmbim jepte kokainë. Hetimet kanë provuar se në disa episode ai së bashku me persona të tjerë kanë shkuar drejt Kosovës me lëndë narkotike me vete dhe në kthim ata kanë sjellë armë zjarri. Policia e Tiranës po verifikon raste ku armët e sjella nga Turqia disa herë kanë tentuar të trafikoheshin edhe në vendet e tjera, madje deri në Angli.
ORGANIZATORI I GRUPIT
Valter Osmani, shqiptari i Kosovës, dyshohet se ishte koka kryesore e grupit që trafikonte armë të kalibrave të ndryshëm nga Kosova në Shqipëri dhe jo vetëm.
I riu u kap në Kosovë, por në vijim pritet të ekstradohet në vendin tonë, pasi të gjitha provat kundër tij u gjetën në një banesë në zonën e Kombinatit në Tiranë, pasi aty qëndronte sa herë vinte për tregtinë e armëve.
Policia ushtroi kontrolle aty dhe gjeti pjesën më të madhe të armëve, ndërsa dyshohet se ky ambient është përdorur si bazë nga grupi për shitjen apo shkëmbimin e armëve. Valter Osmani bënte shpesh itinerarin Kosovë-Shqipëri për të marrë dhe gjetur armë, të cilat më pas i sillte në Tiranë edhe me bashkëpunëtorë të tjerë, me makina private apo autobus.
Kësaj here nuk përdoreshin vetëm para, por edhe kokainë. Policia bën me dije se një pistoletë shkëmbehej kryesisht me 20, 25 deri në 30 gramë kokainë, ndonëse ende nuk janë fiksuar detajet e shkëmbimit të mallit me mall.
/Gazeta Panorama
–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al